Do prehen në Shqipëri 4 familjarët që u 'shuan' në Itali/ Mblidhen 75 mijë € në GoFundMe brenda dy ditësh
- Korca Boom
- 7 hours ago
- 1 min read
Tragjedia që i mori jetën një familjeje shqiptare javën e kaluar në Itali ka prekur opinionin publik.
Brenda vetëm dy ditësh, mbi 75 mijë euro janë mbledhur në platformën GoFundMe për familjen Kola, që ndërruan jetë në mënyrë tragjike në Porcari, në provincën e Luccas, si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit i çliruar nga një kaldajë gazi e instaluar së fundmi në banesën ku jetonin.
Fushata e ndihmës është iniciuar nga Durim Kola, vëllai i Arti Kolës, 48 vjeç, një prej viktimave të ngjarjes së rëndë.
Fondet e mbledhura do të përdoren për mbulimin e shpenzimeve të funeralit dhe për transportimin e trupave drejt Shqipërisë, ku do të zhvillohen ceremonitë mortore.
Shuma e mbetur do t’u vijë në ndihmë familjarëve të viktimave në këtë moment të vështirë.
Dhjetëra qytetarë kanë shprehur solidaritetin e tyre përmes donacioneve që variojnë nga 50 deri në 500 euro, duke dëshmuar mbështetje të gjerë për familjen e goditur nga kjo humbje e pazakontë.
Hetimet
Prokuroria e Luccas ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes. Kaldaja dyshohet se ishte e re dhe se ishte instaluar nga vetë pronari i banesës.
Ndërkohë, priten rezultatet e analizave toksikologjike për katër viktimat, të cilat pritet të jenë vendimtare për vijimin e hetimeve. Pas përfundimit të procedurave ligjore, trupat do të kthehen në Shqipëri për t’u përcjellë në banesën e fundit./ Oranews
“KORÇA BOOM”
















