Hagë, skena përmbyllëse: Krimet e luftës dhe 45 vite burg për katër të akuzuarit
- Korca Boom
- 13 hours ago
- 2 min read
Në Gjykatën Speciale në Hagë këtë të hënë nisën deklaratat përmbyllëse në rastin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.
Prokurorja West njoftoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk kërkon dënim për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, por për individët e akuzuar, duke kërkuar 45 vite burgim në total. “Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon vendim dënimi për të gjitha pikat e aktakuzës, mbështetur në kontributet individuale të krimeve të kryera nga secili prej personave të akuzuar. Këto janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të rënda, dhe akuzat nuk kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës”, tha ajo.
Prokurorja West deklaroi se rreth 100 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë abuzuar në mbi 50 kampe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Sipas saj, qëllimi i të akuzuarve ishte të fitonin dhe të ushtronin kontroll në gjithë Kosovën, duke eliminuar ose ndëshkuar kundërshtarët e perceptuar, përfshirë anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, komunitetin rom dhe serbët.
“Në mënyrë që ta arrinin qëllimin e tyre, këta persona kanë kryer krime kundër kundërshtarëve të tyre të perceptuar për të pasur kontroll në gjithë Kosovën”, shtoi West.
Lidhja Demokratike e Kosovës, një nga partitë më të vjetra në vend, e themeluar në vitin 1989 nga Ibrahim Rugova, luajti një rol kyç në periudhën e rezistencës paqësore dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike të Kosovës.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që përfshijnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të kryera midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa zona të Kosovës dhe veri të Shqipërisë.
"KORCA BOOM"



















