top of page

Drejtori i liqenoreve, Latifllari: Dyshimet tona ishin thjesht sportive

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 7 hours ago
  • 2 min read

Ne Jemi anëtarë të Federatës Shqiptare të Volejbollit, dhe si çdo anëtar i kësaj federate kemi të drejtën të ngremë dyshime në lidhje me sportivitetin e një lojtareje apo një ekipi. Për këtë kemi ngritur një çështje e cila është komplet sportive. Nuk e di pse mori këto përmasa kaq mediatike, kur ne saktësisht kemi kërkuar nga federata që të analizojë këtë lojtare.


Nga Pamjet që kemi parë gjatë ndeshjeve që ajo ka zhvilluar me ekipe të tjera, kërkojmë një analizë specifike për të vërtetuar nëse kjo lojtare është e përshtatshme për të luajtur në këtë kategori. Po ashtu, kërkojmë të kontrollohen avantazhet e mundshme të padrejta që kjo lojtare mund të përfitojë ndaj lojtareve femra.


Kemi parasysh mundësinë e përdorimit të substancave të ndaluara nga rregulloret federative ndërkombëtare sportive apo terapi të ndryshme hormonale, të cilat janë përdorur nga disa lojtarë dhe janë raportuar edhe në media.


Kërkesa jonë është bërë para ndeshjes me Dinamon, më 11 tetor. Ne Kemi parë ndeshje që Dinamo ka zhvilluar me ekipe të tjera dhe kemi vënë re disa të dhëna të ndryshme nga të dhënat standarde të lojtareve në këtë kategori. Kemi ngritur disa dyshime, dhe është e drejtë jonë t’i ngremë këto dyshime dhe thjesht presim që federata të na i vërtetojë.


Mënyra se si kjo çështje është trajtuar, duke hedhur baltë mbi ekipin e Pogradecit për shkak se sot Pogradeci është në vendin e parë, është e padrejtë. Dua të theksoj se në ndeshjen me Dinamon, ky ekip ka qenë i plotë, duke përfshirë edhe lojtaren në fjalë. Pogradeci Ka fituar me rezultatin 3 me 2 dhe falë mbështetjes së jashtëzakonshme të qytetarëve pogradecarë.


Fitoreja është meritë e ekipit dhe vajzave të Pogradecit, të cilat sot po gjykohen nga opinioni i gjerë si nëse po fitojnë me metoda jo të përshtatshme sportive. Kjo nuk është e vërtetë. Ne E mundëm Dinamon në fushën tonë me ekipin e plotë që kishte Dinamo, dhe kjo tregon se suksesi ynë është i ligjshëm dhe meritues.

"KORCA BOOM"

ree

bottom of page