Dy p*lumba para shtëpisë dhe urdhra për v*rasje, gazetari që nuk hesht
- Korca Boom
- Oct 17
- 2 min read
Gazetari investigativ Sigfrido Ranucci ka zbuluar se është vendosur nën mbrojtje të përhershme për shkak të kërcënimeve të shumta që ka marrë ndër vite. Ai ka treguar se rreziku ndaj tij ka nisur që në vitin 2009, kur kishte raportuar mbi aktivitetet e paligjshme të familjes mafioze Ercolano në një gurore në Siçili. Pas publikimit të këtij hetimi, familja mafioze kishte urdhëruar që ai të mbahej nën vëzhgim, dhe për këtë arsye, iu dha një formë mbrojtjeje e lëvizshme.
Në një intervistë për revistën Noi Antimafia, Ranucci ka rrëfyer se pas verës së vitit 2021, autoritetet vendosën që ai të ishte nën mbrojtje 24 orë në ditë. Sipas tij, një trafikant me lidhje me familjet e ‘Ndranghetës dhe me grupe të ekstremit të djathtë kishte urdhëruar dy persona nga Shqipëria që ta vrisnin. Hetimet zbuluan se ky individ ndodhej në burg në Padova dhe kishte kontakte me grupin që kishte organizuar vrasjen e bossit Fabrizio Piscitelli.
Gazetari ka kujtuar gjithashtu se edhe në vitin 2010 ishte në shënjestër të një atentati nga një anëtar i klanit Santapaola. Por sipas tij, plani u ndalua nga mafiozi i njohur Matteo Messina Denaro, i cili nuk dëshironte që të tërhiqte vëmendjen e hetuesve ndaj organizatës.
Në nëntor të vitit 2024, Ranucci raportoi për kërcënime serioze që kishin mbërritur në redaksinë e emisionit Report, pas transmetimit të një materiali investigativ mbi konfliktin Izrael-Palestinë.
Ai ka qenë gjithashtu viktimë e disa akteve intimidimi, si vendosja e dy plumbave P38 pranë banesës së tij dhe ndjekjeve të vazhdueshme nga persona të panjohur.
Megjithë kërcënimet, Ranucci ka deklaruar se nuk do të tërhiqet dhe se do të vazhdojë misionin e tij për të zbuluar lidhjet midis politikës dhe krimit të organizuar në Itali.
“KORÇA BOOM”



















