E DHIMBSHME/ Ndahet nga jeta në moshën 37 vjeçare, drejtuesi shqiptar i Teatri Shtetëror...
Ndahet nga jeta në moshën 37 vjeçare Leander Veizi, drejtuesi shqiptar i Teatri Shtetëror të Regensburgut.
Balerini, koreografi dhe drejtuesi i trupës së vallëzimit në Teatrin Shtetëror të Regensburgut, Leander Veizi, është ndarë nga jeta ditën e sotme në moshën 37 vjeçare. Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Gjermani, e cila ka shprehur ngushëllimet për familjen, të afërmit dhe kolegët e artistit.
“Leander Veizi nuk ishte vetëm një artist me talent dhe përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj artit dhe kulturës, por edhe një profesionist i spikatur, i cili ndërtoi një karrierë të rëndësishme në skenat artistike evropiane”, thuhet në mesazhin e Ambasadës shqiptare në Gjermani.
Vetëm pak muaj më parë, në mars 2026, Leander Veizi u emërua drejtor artistik dhe koreograf i kompanisë së vallëzimit në Theater Regensburg, një nga institucionet e rëndësishme teatrore në Gjermani.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Gjermani ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen e Leander Veizit, të dashurit e tij dhe kolegët në Teatrin Shtetëror të Regensburgut.
I lindur në Shqipëri, Leander Veizi përfundoi formimin profesional në Akademinë Kombëtare të Baletit në Tiranë dhe në Scuola del Balletto di Toscana në Itali.
Karrierën si balerin e nisi në skenën shqiptare, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, për të vijuar më pas në disa trupa të njohura evropiane, mes tyre Gauthier Dance në Theaterhaus Stuttgart, Ballett Vorpommern, TanzTheaterMünster dhe, së fundmi, në Teatrin Shtetëror të Regensburgut në Gjermani. Gjatë karrierës interpretoi role të ndryshme kryesore dhe bashkëpunoi me koreografë të njohur ndërkombëtarë.
Prej vitit 2018, Veizi zhvilloi paralelisht edhe krijimtarinë e tij si koreograf, duke realizuar vepra për teatro, muze, platforma kërcimi dhe festivale ndërkombëtare.
“KORÇA BOOM”
















