E FUNDIT/ Goditet rrjeti i kontrabandës në Korçë, zbulohet metoda e fshehtë
- 1 hour ago
- 1 min read
Një skemë e mirëorganizuar kontrabande mallrash nga Greqia drejt Shqipërisë është goditur nga autoritetet në Korçë, ndërsa katër persona kanë rënë në pranga pas një hetimi disa mujor të zhvilluar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.
Të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, të kryera në bashkëpunim.
Hetimet nisën pas informacioneve të siguruara nga Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë. Për disa muaj me radhë, autoritetet kanë kryer vëzhgime të fshehta, monitorim të lëvizjeve dhe kanë përdorur teknika speciale hetimore, duke bërë të mundur dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal.
Sipas hetimeve, shtetasit me iniciale V.N. dhe A.N., në bashkëpunim me persona të tjerë, kishin ngritur një aktivitet të qëndrueshëm për futjen e konfeksioneve kontrabandë në territorin shqiptar.
Autorët udhëtonin drejt Greqisë me automjete të modifikuara posaçërisht për transport mallrash. Hetuesit zbuluan se automjeteve u ishin hequr sediljet e pasme për të rritur kapacitetin transportues dhe për të shmangur dyshimet gjatë lëvizjeve.
Sipas skemës së zbuluar, mallrat siguroheshin në shtetin grek dhe liheshin pranë vijës kufitare. Më pas ato transportoheshin ilegalisht përmes kufirit të gjelbër nga bashkëpunëtorë të tjerë.
Në disa raste mallrat merreshin nga vetë organizatorët në zonat kufitare, ndërsa herë të tjera transportoheshin drejt qytetit të Korçës, ku magazinoheshin dhe më pas tregtoheshin përmes subjektit tregtar të administruar nga shtetasit A.N. dhe V.N.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrjetit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë vijojnë.
“KORÇA BOOM”
















