TRAGJIKE/ Vajzat lanë një letër para se të h*dheshin nga tarraca
- 2 hours ago
- 2 min read
Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Greqi, ku dy vajza 17-vjeçare u hodhën nga tarraca e një pallati 6-katësh në zonën e Ilioupolit, të kapura dorë për dore.
Sipas mediave greke, tragjedia ndodhi rreth orës 12:00 të mesditës në rrugën “Eleftheriou Venizelou”. Hetimet e para të policisë greke po fokusohen tek pista e vetëvrasjes.
Nga ngjarja, njëra prej adoleshenteve humbi jetën në vend, ndërsa tjetra ndodhet në gjendje tepër kritike në spitalin Asklepieio Hospital, ku është e intubuar dhe po lufton për jetën.
Sipas raportimeve, para se të ngjiteshin në tarracë, njëra prej vajzave kishte lënë një shënim prekës ku shkruante:
“Na falni, ju duam shumë”.
Në letër, vajza përmendte gjithashtu ankthin dhe presionin psikologjik që ndiente për shkak të provimeve kombëtare të maturës në Greqi, të njohura si “Panellinies”.
Mediat greke raportojnë se shënimi u gjet brenda një çante shpine të lënë në tarracë. Dyshohet se para aktit tragjik, vajzat kishin mbyllur derën e tarracës.
Dëshmitarët kanë përshkruar momente dramatike. Një biznesmen që ndodhej pranë pallatit deklaroi se fillimisht dëgjoi një britmë të fortë dhe më pas zhurmën e përplasjes në beton.
“Ktheva kokën dhe pashë dy vajzat të rrëzuara. Telefonova menjëherë ambulancën dhe policinë”, tha ai.
Sipas dëshmitarit, njëra prej vajzave ende merrte frymë dhe përpiqej të komunikonte me vëllain e saj, i cili kishte mbërritur me vrap në vendngjarje.
Një fqinjë tregoi se pak minuta para tragjedisë, vajzat kishin kërkuar çelësat e tarracës nga administratorja e pallatit, pa ngritur dyshime për atë që do të ndodhte më pas.
Në vendngjarje mbërritën ambulancat e urgjencës EKAB dhe forca të shumta policie. Mjekët luftuan për disa minuta për të mbajtur në jetë njërën prej adoleshenteve, ndërsa tjetra nuk arriti të mbijetonte.
Provimet e maturës në Greqi konsiderohen ndër më të vështirat dhe prej vitesh janë shoqëruar me debate të forta për presionin psikologjik që shkaktojnë tek nxënësit.
“KORÇA BOOM”
















