Apeli liron Petri Bozon nga burgu, ndryshon masën e sigurisë
- Aug 15
- 1 min read
Me vendimin e Apelit është urdhëruar edhe lirimi i menjëhershëm i Bozos nga paraburgimi. Producenti ishte arrestuar disa muaj më parë, pasi akuzohet se aksidentoi një 7-vjeçar në Elbasan, teksa i mituri po shkonte në shkollë.
Vendimi i Apelit është marrë pas ankimit të bërë nga mbrojtja e Bozos, e cila kishte kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë. Kërkesa ishte rrëzuar më herët nga Gjykata e Elbasanit, e cila kishte lënë në fuqi masën “arrest në burg”.
Pas ankimit, çështja u shqyrtua nga Gjykata e Apelit Tiranë, e cila vlerësoi se ndaj producentit mund të aplikohej një masë më e lehtë sigurie.
Petri Bozo kishte qëndruar për disa javë në paraburgim, pasi Gjykata e Elbasanit kishte pranuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës “arrest në burg”. Në atë kohë, mbrojtja kishte kundërshtuar vendimin dhe kishte kërkuar një masë alternative.
Tashmë, Bozo do ta vijojë masën e sigurimit në kushtet e arrestit në shtëpi.
Çështja penale ndaj tij vijon të jetë në shqyrtim. Ndryshimi i masës së sigurimit nuk përbën vendim përfundimtar mbi fajësinë apo pafajësinë e tij.
“KORÇA BOOM”
















