E priti jashtë pallatit dhe e q*lloi, policia kërkon motivin e krimit
- 1 day ago
- 2 min read
Policia greke vijon hetimet për ngjarjen e rëndë të regjistruar në Nea Smirni, ku një 48-vjeçar me origjinë shqiptare vrau një 45-vjeçare, gjithashtu shqiptare, dhe më pas i dha fund jetës.
Autoritetet po përpiqen të rindërtojnë orët e fundit para krimit dhe të zbardhin marrëdhënien mes dy personave. Sipas të dhënave paraprake, 48-vjeçari ishte i martuar dhe kishte një fëmijë, ndërsa bashkëshortja e tij ka deklaruar se nuk kishte dijeni për marrëdhënien e tij me 45-vjeçaren.
Policia po heton nëse mes tyre kishte një lidhje personale dhe sa kishte zgjatur ajo. Në kuadër të hetimit, është kontrolluar banesa e 48-vjeçarit në Tavros, ndërsa janë sekuestruar dhe po shqyrtohen pajisje elektronike, dokumente dhe të dhëna që mund të ndihmojnë në zbardhjen e lëvizjeve dhe komunikimeve të tij.
Sipas hetimeve, 48-vjeçari kishte shkuar pranë banesës së 45-vjeçares në rrugën Grigoriou Kydonion dhe e kishte pritur brenda makinës. Kur gruaja doli nga pallati, ai iu afrua dhe e qëlloi me armë zjarri. Më pas, ai e ktheu armën nga vetja dhe qëlloi veten.
Nëna e viktimës ka deklaruar se nuk kishte dijeni për ndonjë lidhje të së bijës me 48-vjeçarin. “Nuk di asgjë. Nuk më kishte thënë asgjë”, është shprehur ajo mes lotësh.
Ndërkohë, banorët e zonës kanë treguar se kanë dëgjuar rreth tre të shtëna në orët e para të mëngjesit, rreth orës 05:30.
Një tjetër element që po hetohet janë fotografitë e publikuara nga 48-vjeçari në rrjetet sociale, ku ai shfaqej me armë në duar. Policia po verifikon nëse ndonjëra prej tyre mund të jetë arma e përdorur në krim.
Hetuesit po analizojnë gjithashtu telefonat celularë dhe aktivitetin online të dy personave, me qëllim zbulimin e komunikimeve apo ndonjë konflikti të mundshëm para ngjarjes.
Tashmë autoritetet po përpiqen të përcaktojnë motivin e krimit dhe të zbardhin plotësisht se çfarë ka ndodhur mes 48-vjeçarit dhe 45-vjeçares para ngjarjes tragjike.
“KORÇA BOOM”
















