EMRAT/ Zbulohet grupi kriminal që trafikonte kanabis drejt Greqisë. Arrestohen 2 persona në Korçë, 2 në kërkim
- Korca Boom
- 9 hours ago
- 1 min read
Pas hetimeve intensive me metoda proaktive, Policia ka goditur një grup kriminal të përfshirë në kultivimin, prodhimin dhe trafikimin e kanabisit në territorin e fshatit Polovisht, Maliq. Lënda narkotike e prodhuar ishte magazinuar në fshatin Voskop të Korçës, ku kryhej procesi i tharjes dhe përpunimit, me qëllim transportimin e saj drejt Greqisë.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Grupi”, u arrestuan dy financuesit e kultivimit, shtetasit Leonard Xhemollari 45 vjeç, banues në Maliq dhe Gentian Muço 48 vjeç, banues në Korçë. Ndërkohë, u shpallën në kërkim dy organizatorët e trafikimit, shtetasit Rexhildo Berberi 42 vjeç dhe Abidin Guraj 35 vjeç, të dy banues në Korçë.
Të dy organizatorët dyshohet se kanë qenë të përfshirë në katër raste të mëparshme të trafikimit të drogës, të goditura nga Policia.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan fenelina policie, pajisje GPS, kamera dhe pajisje regjistrimi të fshehta, targa automjetesh, USB, karta memorie, laptopë, dronë, si dhe kontrata shitblerjeje dhe përdorimi të automjeteve të ndryshme. Në banesën e njërit prej të shpallurve në kërkim u gjet edhe një ambient i modifikuar për punime mbi automjete.
Operacioni vijon për të identifikuar dhe dokumentuar personat e tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Materialet u referuan në Prokurorinë e Korçës për veprime të mëtejshme për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Trafikimi i narkotikëve”.
“KORÇA BOOM”
