“Mësuesi i larguar nga shkolla, prindërit shprehin pakënaqësi
- Korca Boom
- 2 hours ago
- 1 min read
Një mësues i gjuhës angleze në një shkollë 9-vjeçare në Tiranë është larguar nga detyra, pas denoncimeve të prindërve se ai predikonte fenë e Jehovait gjatë orëve mësimore, në shkelje të parimit të arsimit laik.
Ngjarja ka ndodhur në shkollën “Gustav Majer”, ku sipas prindërve dhe dëshmive të nxënësve, mësuesi shfrytëzonte orët e anglishtes për të folur mbi doktrina fetare. Ai dyshohet se u shfaqte fëmijëve video me përmbajtje fetare dhe u jepte detyra shtëpie të lidhura me urdhërimet e Zotit.
Alarmi u ngrit nga prindërit e nxënësve të klasës së katërt, të cilët, në fillim të javës, iu drejtuan drejtuesve të shkollës pasi panë përmbajtjen e shënimeve dhe detyrave në fletoret e fëmijëve. Pas verifikimeve të kryera nga komisioni i disiplinës, u vendos masa e pushimit nga puna për mësuesin në fjalë.
Një nga nxënësit ka dëshmuar se gjatë mësimit flitej shpesh për Zotin dhe fundin e botës, ndërsa notat maksimale jepeshin për detyra me përmbajtje fetare. Prindërit e cilësojnë situatën si të papranueshme, duke theksuar se besimi fetar është çështje personale dhe nuk duhet të ketë vend në ambientet e arsimit publik.
“Bënim 5 orë mësim për Zotin. Fliste për fundin e botës dhe urdhërimet. Na vendoste vetëm 10 duke folur për Jehovain”, ka deklaruar një nga nxënësit.
Prindërit shprehen të indinjuar për situatën, duke theksuar se praktika të tilla janë të papranueshme në një institucion arsimor. “T’i thuash një fëmije ‘vdis sot se do ngjallesh nesër’ është e pafalshme. Secili ka besimin e tij, por shkolla është laikë”, shprehen ata.
"KORCA BOOM"



















