top of page

Enigmë e frikshme: Gjashtë të v*dekur, shumë pikëpyetje

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 14 hours ago
  • 2 min read

Një seri vdekjesh misterioze në malet e Bullgarisë perëndimore ka tronditur autoritetet dhe opinionin publik, duke ngritur pikëpyetje të shumta mbi rrethanat dhe motivet e ngjarjes. Gjashtë persona janë gjetur të pajetë në dy ngjarje të ndara, ndërsa hetuesit po shqyrtojnë pistën e vetëvrasjeve apo vrasje-vetëvrasjeve.


Autoritetet bullgare bëjnë të ditur se trupat e tre personave, mes tyre edhe një 15-vjeçar, janë gjetur brenda një kamperi në zonën e majës Okolchitsa. Hetuesit dyshojnë se kjo ngjarje lidhet me një incident të ndodhur rreth një javë më parë pranë një strehe malore në zonën e Petrohanit, e cila më pas ishte përfshirë nga flakët dhe ishte djegur plotësisht.


Sipas policisë, pesë nga viktimat ishin anëtarë të një organizate joqeveritare për mbrojtjen e natyrës që vepronte në zonat malore të Bullgarisë perëndimore, ndërsa i mituri ishte djali i një miku të tyre. Kjo lidhje mes viktimave ka shtuar dyshimet për një ngjarje të organizuar ose të ndërlidhur.


Pamjet e kamerave të sigurisë kanë treguar se gjashtë personat janë parë duke u përshëndetur mes tyre ditën e ngjarjes. Më vonë, tre prej tyre janë filmuar duke i vënë zjarrin strehës malore pranë Petrohanit, një veprim që mbetet ende i pashpjeguar.

Në vendngjarje janë gjetur dy armë zjarri, një pushkë dhe disa gëzhoja, ndërsa ekspertiza paraprake ka konstatuar se të shtënat janë kryer nga distancë e afërt.


Hetuesit kanë zbuluar gjithashtu materiale që sugjerojnë lidhje të disa anëtarëve të grupit me praktika të budizmit tibetian, ndërkohë që familjarë të njërit prej viktimave kanë deklaruar se brenda grupit ekzistonin probleme të rënda psikologjike.


Prokuroria bullgare ka bërë të ditur se pista kryesore e hetimit mbetet ajo e vrasjeve të ndjekura nga vetëvrasje ose e vetëvrasjeve të ndara, por thekson se hetimet janë ende në zhvillim dhe asnjë skenar nuk është përjashtuar. Autoritetet synojnë të zbardhin plotësisht motivet dhe rrethanat e kësaj ngjarjeje të pazakontë, e cila ka tronditur thellë opinionin publik në Bullgari.

"KORCA BOOM"


bottom of page