Erion Braçe ngre alarmin: TXEX, kërcënim real për ekonominë familjare.
- Korca Boom
- Aug 27
- 1 min read
Nga Divjaka në Lushnje, një skemë mashtruese po përhapet me shpejtësi, duke rrezikuar jo vetëm financat personale të qytetarëve, por edhe strukturën sociale të komuniteteve. Deputeti Erion Braçe ngre alarmin për një realitet të rrezikshëm që mund të na rikthejë në plagët e vitit 1997.
Prej rreth dy muajsh, në disa zona të Shqipërisë është vënë re një fenomen shqetësues: përhapja e një skeme piramidale të quajtur TXEX, e cila funksionon në mënyrë dixhitale përmes aplikacioneve në celularë. Në dukje moderne dhe teknologjike, por në thelb një mashtrim i vjetër me veshje të re, kjo skemë ka përfshirë qindra qytetarë në Divjakë dhe tashmë po zgjerohet drejt Lushnjes.
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka bërë thirrje publike për ndërhyrje të menjëhershme, duke paralajmëruar për pasojat e rënda që kjo skemë mund të shkaktojë. Sipas tij, vetëm në Divjakë mund të jenë përfshirë mbi 1,000 persona, një shifër alarmante për një komunitet me popullsi të vogël dhe ekonomi të brishtë.
“Dilni sa më parë nga kjo skemë piramidale dhe denoncojeni pranë Policisë së Shtetit. Dorëzoni telefonin tuaj që hetuesit të mund të gjurmojnë autorët përmes rrjedhës së parave,” apelon Braçe përmes rrjeteve sociale.
“KORÇA BOOM”



















