Ersekë/ Parim Pinderi 40 vite mësues: Nxënësit janë pasqyra më e bukur e punës sime
- Korca Boom
- Sep 9, 2025
- 2 min read
Prej më shumë se katër dekadash, Parim Pinderi është një nga figurat më të dashura të arsimit në Ersekë.
Në shkollën “Papa Kristo Negovani”, ai ka edukuar me dhjetëra breza, dhe kënaqësia më e madhe për të mbetet momenti kur sheh ish-nxënësit e tij të arrirë në jetë dhe të formuar si qytetarë të mirë.
“Është një periudhë e gjatë në arsim. E kam dashur këtë profesion, kam punuar me përkushtim me nxënësit. 5 vitet e para të punës kam dhënë lëndë gjuhë. Në punën e mësuesit ka lodhje, vështirësi por e kënaqësi. Kur ke sukses, ndiej kënaqësi. Kur shoh ish nxënësit e mi që janë në pozicione të larta, ndihem krenar për këtë”, thotë mësuesi.
Prej disa vitesh, Parimi ka zgjedhur t’i përkushtohet edhe një detyre më delikate: kujdesit dhe edukimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara. Një punë të cilën e quan të vështirë, por njëkohësisht të bukur dhe fisnike.
“Kur nisa para 7 vitesh ndjeja vështirësi, eksperienca ishte e pakët. I është kushtuar rëndësi fëmijëve me aftësi të kufizuar. Është e vështirë. Ka spektri autik, sindromën down, sjellja te veçanta me radhë. Këta fëmijë duan dashurinë e mësuesit, duan përkushtim, jo përkëdhelje, Jo mëshirë, duan dashuri nga gjithë personat rreth tyre. Kemi probleme me mjetet didaktike por shkolla këtu ku unë punoj ka bërë punë të mirë”, shprehet Pinderi.
Por mësuesi me përvojë ka edhe një mesazh për të rinjtë që duan të ndjekin këtë rrugë në institucionet arsimore.
“Për këta të rinj që mbarojnë arsimin special e do punojnë me fëmijët me aftësi të kufizuara duhet të duan profesionin dhe duhet të kenë parasysh që kanë sfida të mëdha për të kapërcyer por nuk mjafton dashuria për këtë profesion por e përkushtim e pune e sinqertë”, apelon mësuesi.
Për Parim Pinderin, mësuesia nuk është thjesht një profesion, por një mision jetësor që lë gjurmë në formimin e brezave të ardhshëm./ Euronews
“KORÇA BOOM”



















