Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin "Fan S. Noli" i shtohet një laborator i ri në mbështetje të kërkimit shkencor
- Jul 4, 2025
- 2 min read
Në ambientet e Fakultetit të Ekonomisë pranë Universitetit "Fan S. Noli" u përurua zyrtarisht Laboratori për Kërkimin Shkencor, i ngritur në kuadër të projektit “Potenciali prodhues në rajon, rritja e kapaciteteve dhe standardit të prodhimit në funksion të perspektivës së zhvillimit rajonal”. Ky projekt është financuar me fondet e vetë universitetit dhe synon të ofrojë një bazë të qëndrueshme për mbështetjen e kërkimit shkencor në rajon.
Laboratori është një mjet i rëndësishëm për zhvillimin e analizave statistikore dhe modelimeve ekonomike përmes programeve të avancuara si SPSS 26, EViews 13 dhe MPlus. Ai është krijuar për të mbështetur si stafin akademik ashtu edhe studentët në realizimin e projekteve kërkimore, punimeve të diplomës dhe studimeve me karakter aplikativ apo teorik.
Koordinatorët e projektit, prof. asoc. dr. Eleni Vangjeli dhe dr. Emil Frashëri, prezantuan para të pranishmëve mundësitë konkrete që ky laborator do të ofrojë në funksion të zhvillimit akademik dhe bashkëpunimit me aktorët e tregut lokal.
Takimin e përshëndetën edhe dekania e Fakultetit të Ekonomisë, prof. asoc. dr. Ledina Alolli, dhe rektori i Universitetit "Fan S. Noli", prof. dr. Lorenc Ekonomi, të cilët përgëzuan stafin për bashkëpunimin dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm në zhvillimin e kapaciteteve të institucionit. Në fjalën e tyre, ata theksuan rëndësinë që ky laborator do të ketë jo vetëm për mësimdhënien dhe kërkimin brenda fakultetit, por edhe për bashkëpunimin me institucionet publike dhe private në rajon, përfshirë bizneset, studiuesit dhe organizatat e interesuara për analiza e studime të thelluara.
Në këtë takim u prezantuan gjithashtu edhe rezultatet përmbyllëse të projektit kryesor, si dhe u diskutuan ecuria dhe arritjet e dy projekteve të tjera që po zbatohen aktualisht nga Departamenti i Financës dhe Kontabilitetit dhe Departamenti i Menaxhimit.
Projekti i parë fokusohet në mundësinë e punësimit të studentëve të diplomuar në Fakultetin e Ekonomisë në tregun bankar dhe jobankar të rajonit të Korçës, me qëllim forcimin e lidhjes së fakultetit me tregun e punës, përmirësimin e kurrikulave dhe rritjen e kompetencave praktike të studentëve.
Projekti i dytë synon të vlerësojë nivelin e aftësive digjitale të studentëve të Universitetit "Fan S. Noli", si një element thelbësor për përballimin e sfidave të epokës digjitale dhe transformimeve të vazhdueshme teknologjike.
Përurimi i laboratorit u shoqërua me prezantimin e disa temave të diplomave nga studentët e programit Master i Shkencave në Financë, duke sjellë një shembull konkret të mënyrës se si ky laborator do të përdoret në praktikë.
Ky zhvillim është një tjetër hap përpara për Fakultetin e Ekonomisë dhe Universitetin "Fan S. Noli", duke konfirmuar angazhimin e tyre për të qenë një qendër aktive e kërkimit shkencor dhe për të ndërtuar ura të forta mes dijes akademike dhe nevojave reale të tregut.
“KORÇA BOOM”
















