Fluks i lartë në kufi, radhë të gjata automjetesh në Kapshticë dhe Qafë-Thanë
- Aug 15
- 1 min read
Fluksi i lartë i udhëtarëve gjatë kësaj të shtune ka sjellë radhë të gjata automjetesh në pikat kufitare të Kapshticës dhe Qafë-Thanës, që lidhin Shqipërinë respektivisht me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Situata paraqitet e ngarkuar në të dyja pikat e kalimit, ku qindra automjete janë parë në pritje për të hyrë ose për të dalë nga territori shqiptar.
Në Kapshticë, sipas të dhënave zyrtare, vetëm gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë nga Greqia drejt Shqipërisë 7,827 shtetas, ndërsa 4,133 të tjerë kanë kaluar në drejtim të kundërt.
Për përballimin e fluksit dhe përshpejtimin e procedurave kufitare, në Kapshticë po punohet me pesë sportele në hyrje dhe tre në dalje.
Lëvizje të shumta janë regjistruar edhe në Qafë-Thanë. Në këtë pikë kufitare, gjatë 24 orëve të fundit, janë regjistruar mbi 9 mijë hyrje dhe dalje të shtetasve.
Fluksi i shtuar ka sjellë ngarkesë në akset pranë pikave kufitare dhe pritje për drejtuesit e mjeteve që udhëtojnë drejt ose nga vendet fqinje.
“KORÇA BOOM”
















