Fund tragjik për 25-vjeçaren u dërgua me urgjencë në spital, por nuk i mbijetoi h*lmimit
- 2 hours ago
- 2 min read
Një ngjarje tragjike ka tronditur opinionin publik, pasi një vajzë e re ka humbur jetën pasi dyshohet se kishte konsumuar fostoksinë.
Viktima, Xhuana Nikolli, 25 vjeçe, është transportuar me urgjencë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë në gjendje të rëndë shëndetësore. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë, e reja nuk ka mundur t’i mbijetojë helmimit.
Rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje të rëndë mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur se çfarë ka ndodhur.
Sipas burimeve jozyrtare, e reja, e cila ishte martuar gjatë verës së kaluar, po përballej me një periudhë të vështirë në jetën personale. Dyshohet se mes saj dhe partnerit kishte pasur konflikte të vazhdueshme.
Persona që pretendojnë se e kanë njohur nga afër situatën shprehen se marrëdhënia mes çiftit kishte qenë problematike dhe se e reja kishte përjetuar dhunë fizike dhe psikologjike. Sipas tyre, pas ndarjes ajo ishte larguar nga Lezha dhe ishte zhvendosur në Tiranë.
Ndërkohë, miq dhe të afërm e përshkruajnë Xhuanën si një vajzë të dashur, të brishtë dhe me zemër të mirë. Ata hedhin poshtë pretendimet se ajo ishte martuar për interesa financiare, duke theksuar se partneri i saj kishte qenë dashuria e parë që nga koha e gjimnazit.
Sipas disa dëshmive që qarkullojnë në rrjete sociale, e reja mund të ketë qenë edhe shtatzënë, një informacion që dyshohet se është mësuar nga familjarët në morg.
Megjithatë, ky detaj nuk është konfirmuar ende zyrtarisht.
Po ashtu raportohet se ish-bashkëshorti i saj nga Lezha mund të jetë ndaluar nga policia, por deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga autoritetet.
Policia dhe organet përkatëse vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie që ka tronditur familjarët, miqtë dhe opinionin publik.
"KORCA BOOM"
















