Gjykata e Korçës ka dënuar me 7.4 vite burg Stiljan Pashon, ish-zëvendësdrejtorin e Kufirit në qarkun e Korçës
Gjykata e Korçës ka dënuar me 7.4 vite burg Stiljan Pashon, ish-zëvendësdrejtorin e Kufirit në qarkun e Korçës.
Pasho u akuzua për trafikim të lëndëve narkotike, të kryer në bashkëpunim. Sipas akuzës, ai kishte bashkëpunuar me katër persona të tjerë, të cilët transportonin drogë nga Shqipëria drejt Greqisë.
Nga hetimet e Prokurorisë së Korçës u provua se Pasho kishte urdhëruar vartësit e tij të kontrollonin automjete të ndryshme në doganë, me përjashtim të atyre në të cilat transportohej lënda narkotike cannabis sativa.
Lorenco Lika dhe Ervin Ibi u arrestuan nga autoritetet greke me 26 kilogramë drogë në automjetin që, sipas hetimeve, ishte lejuar të kalonte në doganë pa u kontrolluar nga Stiljan Pasho.
Fillimisht, Gjykata e Korçës e dënoi Pashon me 11 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai përfitoi ulje të dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 7.4 vite heqje lirie.
Ndërkohë, gjatë procesit gjyqësor, Pasho nuk e ka pranuar përfshirjen në veprën penale./ Pogradeci Press
“KORÇA BOOM”
















