Të maskuar si policë dhe me a*më, pesë persona t*rrorizojnë një familje, ja çfarë morën nga banesa
Pesë persona të maskuar si punonjës policie dhe të armatosur kanë hyrë në një banesë, ku kanë kërcënuar familjarët dhe kanë vjedhur telefona celularë dhe një shumë parash.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:05 të mëngjesit, në lagjen “5 Maji”. Sipas informacionit zyrtar të Policisë, personat e paidentifikuar janë pikasur nga familjarët që ndodheshin në banesë, çka i ka detyruar të largohen.
Autorët kanë arritur të marrin katër telefona celularë dhe një shumë parash, përpara se të largoheshin nga banesa.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe janë vënë në ndjekje të personave të dyshuar. Gjatë largimit, këta të fundit kanë braktisur automjetet dhe janë larguar në drejtim të një zone kodrinore, duke përfituar nga errësira.
Në vijim të veprimeve hetimore, efektivët kanë gjetur dhe sekuestruar dy automjete që dyshohet se janë përdorur gjatë ngjarjes, si dhe veshje të ngjashme me uniformat e Policisë dhe prova të tjera që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rastit.
Policia po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë, si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
“KORÇA BOOM”
















