Goditje e rëndë për futbollin: Lojtari 21-vjeçar humb jetën pas përplasjes me murin
- Korca Boom
- Sep 26
- 1 min read
Futbolli britanik është tronditur nga lajmi i hidhur për ndarjen nga jeta të Billy Vigar, ish-sulmuesit të akademisë së Arsenalit, vetëm 21 vjeç. Tragjedia ndodhi gjatë një ndeshjeje në ligat e ulëta të Anglisë, mes skuadrave Chichester City dhe Wingate & Finchley.
Në minutën e 13-të të takimit, Vigar pësoi një përplasje të rëndë me një mur betoni pranë fushës, duke pësuar një dëmtim të rëndë në tru. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të stafit mjekësor dhe transportimit me helikopter në një spital në Londër, sulmuesi i ri nuk mundi t’i mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë të enjten në mëngjes, pas një operacioni urgjent.
Komuniteti i futbollit në Angli është në zi dhe shpreh ngushëllimet më të thella për familjen dhe miqtë e Vigar. Humbja e një talenti të ri dhe me perspektivë është një humbje e madhe për sportin dhe për të gjithë ata që e njohën.
“KORÇA BOOM”



















