Goditjet e Policisë Korçë: Arrestim, kanabis, përleshje dhe aksident rrugor
- 3 hours ago
- 2 min read
Një person është arrestuar dhe disa të tjerë janë proceduar penalisht nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin O. Sh., 36 vjeç, banues në Korçë, pasi u kap jashtë banesës, në kundërshtim me vendimin e Gjykata e Shkallës së Parë Korçë, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Po ashtu, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin A. T., banues në Korçë, pasi në lagjen nr. 9 është konfliktuar fizikisht me shtetasin G. D., për motive të dobëta. Procedim penal nisi edhe ndaj një 16-vjeçari, i cili gjatë një konflikti të çastit me një bashkëmoshatar i ka shkaktuar dëmtime të lehta trupore.
Ndërkohë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve nisën procedim penal për shtetasit D. M., 20 vjeç, banues në Tiranë, dhe E. K., 38 vjeç, banues në fshatin Bitinckë, Devoll. Gjatë kontrollit në automjetin me të cilin lëviznin në Bilisht u gjet një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike kanabis. Më pas, gjatë kontrollit në banesën e E. K., u gjet edhe një përforcues grushti, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Nga ana tjetër, shërbimet e Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori për shtetasin A. B., 44 vjeç, banues në Prizren, Kosovë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. Ai dyshohet se ka humbur kontrollin e mjetit në aksin rrugor “Korçë–Pogradec”, pranë fshatit Leminot, Maliq, duke dalë nga rruga. Si pasojë, 44-vjeçari ka mbetur i dëmtuar dhe po merr mjekim në spitalin e Korçës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.
"KORCA BOOM"



















