Humbi betejën me kancerin, shuhet ish-golashënuesi legjendar italian
- 1 day ago
- 2 min read
Ish-futbollisti italian Igor Protti ka ndërruar jetë pas një beteje të gjatë dhe të vështirë me kancerin, duke lënë pas dhimbje të madhe te familjarët, miqtë dhe tifozët që e deshën ndër vite.
Në mesazhin e tij prekës të fundit, Protti u dha lamtumirën njerëzve më të dashur me fjalë që kanë prekur zemrat e të gjithëve.
“Ky udhëtim i mrekullueshëm, si çdo ndeshje, ka mbërritur deri në fishkëllimën e fundit.Është e vështirë të gjej fjalë për ta shpjeguar, por e vetmja gjë që mund të bëj është të falënderoj familjen time të madhe dhe të mrekullueshme.Të gjithë njerëzit që më donin dhe ishin aty për mua, si dhe tifozët e ekipeve ku luajta. Shpresoj që kjo të jetë një ndarje e shkurtër, jo një lamtumirë.”
Homazhet për të do të mbahen sot në orën 15:00 në sallën e funeraleve Frongillo në Cecina, ndërsa ceremonia e varrimit do të zhvillohet të shtunën në stadiumin Stadio Armando Picchi në Livorno, vendi ku ai u kthye në simbol të klubit.
Kryebashkiaku i Livornos, Luca Salvetti, deklaroi se qyteti do të shpallë edhe një ditë zie në nder të ish-sulmuesit.
Së fundmi, Protti kishte emocionuar opinionin publik kur, pavarësisht gjendjes së rënduar shëndetësore, shoqëroi vajzën e tij Noemi drejt altarit, duke përcjellë një mesazh të fortë për jetën dhe dashurinë.
I njohur me nofkën “Cari”, Protti mbetet një figurë unike në futbollin italian. Bashkë me Dario Hübner, ai ishte një nga të paktët lojtarë që u shpall golashënuesi më i mirë në Serie A, Serie B dhe Serie C.
Gjatë karrierës së tij, ai veshi fanellat e disa klubeve të njohura italiane si SSC Bari, SS Lazio, SSC Napoli dhe AS Livorno Calcio, ku u kthye në një ikonë të vërtetë.
Në vitin 2025, ai kishte bërë publik lajmin e sëmundjes së tij përmes Instagramit, duke treguar se po përballej me një sfidë të vështirë, por me të njëjtin shpirt luftarak që e karakterizoi gjatë gjithë jetës.
Edhe miku i tij i ngushtë, ish-futbollisti Cristiano Lucarelli, e kujtoi me fjalë prekëse:
“Mënyra se si e përballoi sëmundjen ishte një mësim për të gjithë. Ai na tregoi se jeta duhet jetuar në maksimum deri në fund.”
“KORÇA BOOM”
















