Humbi kontrollin e mjetit, 23-vjeçarja humb jetën
- 3 hours ago
- 1 min read
Policia e Shtetit ka identifikuar 23-vjeçaren që humbi jetën në një aksident tragjik automobilistik të ndodhur në minutat e para të kësaj të premteje.
Viktima është Elvina Elezi, 23 vjeçe, banuese në Tiranë. Ajo ndërroi jetë pas një aksidenti të rëndë të regjistruar në dalje të kryeqytetit.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, më datë 13 shkurt 2026, rreth orës 00:00, në aksin rrugor “Vorë – Fushë-Prezë”, e reja dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit që drejtonte, duke u përplasur me barrierat anësore të rrugës.
Përplasja ka qenë e fortë dhe i ka shkaktuar plagë të rënda. Edhe pse 23-vjeçarja u transportua me urgjencë në spital, si pasojë e dëmtimeve në organet jetësore, ajo nuk ka mundur të mbijetojë.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
"KORCA BOOM"



















