Incident i rëndë në Greqi: Shqiptari godet me lopatë të riun grek pas debatit familjar
- Korca Boom
- Sep 12, 2025
- 1 min read
Një ngjarje e rëndë u regjistrua dje në varrezat e qytetit të Halkidës, në Greqi, ku një i ri grek u plagos rëndë në kokë pas një konflikti për motive të dobëta. Sipas mediave vendase, ngjarja ndodhi kur një shtetas shqiptar goditi me lopatë të riun grek, pasi ky i fundit dyshohet se kishte ofenduar motrën e tij.
Situata u përshkallëzua edhe më tej kur babai i të plagosurit, duke parë të birin të gjakosur, sulmoi automjetin e shqiptarit, duke i shkaktuar dëme materiale. I riu grek u dërgua menjëherë në spitalin e Halkidës, ku kaloi natën nën kujdesin e mjekëve.
Sipas raportimeve të “Protothema.gr”, në konflikt ishin të përfshirë gjithsej shtatë persona, mes tyre edhe vajza e mitur e familjes greke. Të gjithë u shoqëruan në rajonin e policisë, por më pas u lanë të lirë me urdhër të prokurorit.
Autoritetet greke njoftuan se personat e përfshirë do të përballen me akuza për dëmtim të rrezikshëm trupor, dëmtim të thjeshtë trupor, fyerje dhe dëmtim prone.
“KORÇA BOOM”



















