Interes rekord për ndeshjen Shqipëri–Serbi: Procesi i shortit për biletat shtyhet
- Korca Boom
- 2 days ago
- 1 min read
Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka njoftuar se procesi i shortit elektronik për përzgjedhjen e tifozëve që do të kenë të drejtën për të blerë bileta për ndeshjen mes Shqipërisë dhe Serbisë do të vazhdojë deri më datat 3-4 qershor.
Kjo shtyrje ka ardhur si pasojë e një numri shumë të lartë aplikimesh, të cilat kanë tejmbushur kapacitetet e platformës online, duke e bërë të nevojshëm një proces më të kujdesshëm dhe të drejtë për të gjithë pjesëmarrësit. Qëllimi i FSHF-së është të sigurojë transparencë dhe barazi për çdo tifoz të interesuar për këtë ndeshje tejet të rëndësishme, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës FIFA 2026.
Procesi i shpërndarjes së biletave ka nisur tashmë, dhe disa nga aplikuesit që janë përzgjedhur si fitues nga shorti elektronik kanë marrë njoftimin dhe janë pajisur me bileta përmes platformës zyrtare të menaxhuar nga kompania T-Ticket.
FSHF u bën thirrje të gjithë aplikuesve të kontrollojnë vazhdimisht adresat e tyre të emailit – si në "Inbox" ashtu edhe në "Spam" – për të parë nëse kanë marrë një njoftim nga T-Ticket. Vetëm ata që përzgjidhen do të marrin një link të personalizuar për blerjen e biletave.
Nëse deri pas datës 4 qershor nuk merrni një email konfirmimi, kjo do të thotë që nuk jeni përzgjedhur nga shorti elektronik. Ju lutemi të keni parasysh se nuk do të dërgohet asnjë njoftim për ata që nuk janë përzgjedhur.
“KORÇA BOOM”
