Ish-ministri i Financave ndërron jetë në moshën 74-vjeçare
- Korca Boom
- 2 days ago
- 1 min read
Një lajm i trishtë ka ardhur këtë të enjte të janarit. Ka ndërruar jetë në moshën 74-vjeçare Qemal Disha, ish-ministër dhe ish-zv.ministër i Financave, një nga figurat më të njohura të ekonomisë shqiptare pas viteve ’90.
Qemal Disha mbylli sytë përgjithmonë duke lënë pas dhimbje te familjarët, miqtë dhe kolegët e tij, si dhe një trashëgimi të rëndësishme në jetën publike dhe institucionale të vendit.
Ai shërbeu si zv.ministër i Financave gjatë viteve 1990–1991 dhe më pas u emërua ministër i Financave në shkurt të vitit 1991, detyrë që e mbajti deri në prill të po atij viti. Më vonë, Disha u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë për periudhën 1991–1992.
Një njohës i thellë i financave dhe strateg i shifrave, Qemal Disha dha një kontribut të çmuar në administratën publike dhe në sektorin e sigurimeve, ku ndikimi i tij profesional vlerësohet edhe sot.
I lindur në Zerqan të Dibrës në vitin 1951, ai ndërtoi një karrierë të pasur, duke kombinuar formimin akademik me përvojën në qeverisje dhe financa. Nën drejtimin e tij, institucionet që ai drejtoi u shndërruan në modele profesionalizmi dhe besueshmërie, ndërsa ai vetë u bë mentor për breza të rinj profesionistësh.
"KORCA BOOM"



















