Tragjedi, punëtori shqiptar humb jetën në vendin e punës
- Korca Boom
- 13 hours ago
- 1 min read
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Itali, ku një punëtor shqiptar ka humbur jetën në vendin e punës. Viktima është identifikuar si Zevxhet Halili, 59 vjeç, shtetas shqiptar, i cili jetonte në zonën e Sant’Elena, në provincën e Padovës.
Ngjarja tragjike është shënuar pasditen e sotme, rreth orës 16:30, në rrugën “Via Comuna”, në Ospedaletto Euganeo, brenda ambienteve të kompanisë SESA, Società Estense Servizi Ambientali, ku 59-vjeçari ishte i punësuar.
Sipas hetimeve paraprake të karabinierëve të stacionit të Este dhe teknikëve të SPISAL, Shërbimi për Parandalimin dhe Sigurinë në Vendin e Punës, Halili po kryente punime mirëmbajtjeje kur, në rrethana ende të paqarta, mbeti i shtypur brenda një makinerie.
Ngjarja ka ndodhur në prani të disa kolegëve, të cilët kanë dhënë menjëherë alarmin. Në vendngjarje mbërritën ekipet e emergjencës SUEM 118, por pavarësisht përpjekjeve për ta reanimuar, 59-vjeçari ndërroi jetë pothuajse në vend.
Për rastin është vënë në dijeni Prokuroria e Rovigos, ndërsa zona ku ndodhi aksidenti është sekuestruar për kryerjen e hetimeve të mëtejshme. Trupi i pajetë i viktimës është transportuar në institutin e mjekësisë ligjore dhe ndodhet në dispozicion të autoriteteve gjyqësore.
"KORCA BOOM"



















