“Kisha të drejtën time në rrugë”/ Dëshmia e Petri Bozo pas tragjedisë
- 56 minutes ago
- 1 min read
Një ngjarje tragjike ka tronditur mëngjesin e kësaj të hëne në aksin rrugor Elbasan–Librazhd, pranë fshatit Mengël, ku një fëmijë 7-vjeçar humbi jetën pasi u përplas nga një automjet.
Sipas informacioneve paraprake, drejtuesi i mjetit ishte regjisori dhe producenti i njohur shqiptar Petri Bozo, i cili pas aksidentit është shoqëruar në ambientet e Policisë së Elbasanit për veprimet procedurale.
Dëshmitarë në vendngjarje kanë deklaruar për mediat se Bozo pretendoi se po lëvizte me shpejtësi shumë të ulët, rreth 10 kilometra në orë, duke theksuar se nuk kishte shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.
“Ai tha se ishte duke ecur me 10 km në orë. Tha: jam duke ecur në rrugë nacionale, kam të drejtën time, isha me 10 km/h”, është shprehur një banor i zonës.
Ngjarja e rëndë ndodhi pranë një shkolle, ndërsa mësohet se 7-vjeçari ishte nisur drejt institucionit arsimor në momentin kur tentoi të kalonte rrugën dhe u përplas nga automjeti.
Policia po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit fatal.
“KORÇA BOOM”
















