top of page

Krim i rëndë mbrëmjen e sotme / 34-vjeçari qëllohet nga motoristë të maskuar

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Sep 5, 2025
  • 1 min read

Një ngjarje e rëndë kriminale ka ndodhur mbrëmjen e sotme në qytetin e Shkodrës, ku një 34-vjeçar ka mbetur i vrarë në një atentat me armë zjarri. Viktima është identifikuar si Kristian Kola, i cili, sipas burimeve, ishte duke konsumuar një kafe në ambientet e një lokali në qytet në momentin që u qëllua për vdekje.


Autorët e dyshuar kanë mbërritur në vendngjarje me një motor të zi dhe kanë qëlluar në drejtim të Kolës, duke e lënë të vdekur në vend. Pamjet nga vendngjarja tregojnë një tavolinë të mbetur e paprekur, ku ndodhen ende filxhani i kafesë dhe një shishe uji, detaje që i japin ngjarjes një dimension të rëndë dhe tragjik.


Policia ka reaguar menjëherë, duke ngritur disa postblloqe në hyrje-daljet e qytetit dhe duke kryer kontrolle në zonë, në përpjekje për të identifikuar dhe kapur autorët. Deri tani, identiteti i autorëve mbetet i panjohur, ndërsa pista e atentatit duket e lidhur me motive ende të pazbuluara.


“Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve,” thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit.


Ngjarja ka shkaktuar tronditje në qytet, ndërsa hetimet janë në fazën e parë dhe pritet që në orët në vijim të dalin detaje të tjera rreth motiveve të mundshme dhe identitetit të të dyshuarve.

“KORÇA BOOM”


bottom of page