top of page

Kriza e radhës në Kadastrës, dorëhiqet drejtori i emëruar me debate politike

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 21 minutes ago
  • 1 min read

Nuk ka qetësi në institucionin e Kadastrës së Vlorës, ku ndryshimet në drejtim vijojnë me ritme të shpejta. Pas vetëm pesë muajsh në detyrë, drejtori Genc Deromemaj ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij, duke lënë pas një tjetër periudhë të shkurtër në krye të këtij institucioni të debatueshëm.


Edhe pse arsyet zyrtare të largimit nuk janë bërë publike, burime nga brenda institucionit bëjnë me dije se Deromemaj ka vendosur të mos vijojë më në detyrë për arsye personale dhe politike. Deromemaj, i njohur si ish-drejtues lokal i Partisë Demokratike në Vlorë, u emërua në krye të Kadastrës në fillim të këtij viti, në një proces që ngjalli reagime të forta politike, për shkak të afrimit të disa ish-demokratëve me mazhorancën.


Emërimi i tij u interpretua nga një pjesë e opozitës si pjesë e një lëvizjeje të qëllimshme të qeverisë për të afruar ish-funksionarë të së djathtës, gjë që shkaktoi debate të brendshme dhe akuza për “bashkëpunim politik”.


Dorëheqja e tij shton më tej pasigurinë në drejtimin e Kadastrës së Vlorës — një institucion që prej vitesh ndodhet në qendër të akuzave për procedura të bllokuara, vonesa në legalizime, konflikte pronësie dhe ndikime politike në vendimmarrje.


Deromemaj nuk ka dhënë ende një deklaratë publike për dorëheqjen, ndërsa Agjencia Shtetërore e Kadastrës pritet të caktojë përkohësisht një zëvendësdrejtues në krye të institucionit, deri në emërimin e një drejtori të ri.

"KORCA BOOM"

ree

bottom of page