Kujdes në kufi! Ja sa euro mallra mund të futni pa taksa në Shqipëri
- 2 hours ago
- 1 min read
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, në kuadër të shtimit të fluksit të lëvizjeve gjatë sezonit pranverë–verë, ka informuar udhëtarët që hyjnë në Shqipëri mbi vlerën e lejuar të mallrave që përjashtohen nga taksat doganore.
Sipas sqarimit zyrtar, udhëtarët që vijnë nga një shtet tjetër përjashtohen nga detyrimet e importit për mallrat që ndodhen në bagazhin e tyre personal, për sa kohë që ato, për nga lloji dhe sasia, nuk janë të destinuara për qëllime tregtare.
Vlera e mallrave që përfitojnë përjashtim nga taksat doganore, pa përfshirë produktet e duhanit dhe alkoolit, është 300 euro për udhëtarët që hyjnë në rrugë tokësore.
Për udhëtarët që hyjnë në rrugë ajrore ose detare, kufiri i përjashtimit është 430 euro për çdo udhëtar, ndërsa për udhëtarët nën moshën 15 vjeç, 150 euro.
Në rastet kur vlera e mallrave tejkalon kufirin e lejuar ose kur ato kanë qëllim tregtar, udhëtari është i detyruar t’i deklarojë ato në momentin e hyrjes në territorin shqiptar. Autoritetet doganore kanë të drejtë t’i kërkojnë çdo udhëtari të paraqesë dhe të deklarojë të gjitha mallrat që transporton.
Për mallrat me natyrë jotregtare që tejkalojnë kufirin e pataksueshëm, deklarimi kryhet përmes procedurës së “Deklarimit të thjeshtuar”.
Ky informim synon të shmangë problematikat që mund të hasin qytetarët për shkak të mosnjohjes së detyrimeve ligjore, si dhe të parandalojë hyrjen e mallrave të pataksuara për qëllime tregtare.
"KORCA BOOM"
















