top of page

Vendim i fortë nga Kushtetuesja, rregullorja për shtimin e komisioneve bie

  • 3 hours ago
  • 1 min read

Gjykata Kushtetuese vendosi të pranojë kërkesën e deputetëve të opozitës dhe të shfuqizojë rregulloren e re të Kuvendit për shtimin e komisioneve parlamentare.

Sipas vendimit, Kushtetuesja ka konstatuar shkelje në procedurën e përshpejtuar dhe në mënyrën sesi janë thirrur mbledhjet e Kuvendit. Gjyqtarët kushtetues konkluduan se vendimi i Kuvendit cenon parimin e demokracisë përfaqësuese, duke kufizuar lirinë e shprehjes së deputetëve si pasojë e shkeljes së rregullave për thirrjen e mbledhjes dhe procedurën e miratimit të rregullores.


Gjykata thekson se vendimi për miratimin e rregullores së re është në papajtueshmëri me Kushtetutën.

Rregullorja e re ishte miratuar nga Kuvendi vetëm 3 ditë pas konstituimit, me 79 vota pro. Me këtë ndryshim, u krijuan 11 komisione të përhershme parlamentare, nga 8 që ishin më parë. Gjatë votimit, deputetët e Partisë Demokratike braktisën seancën dhe çështjen e konsideruan si “puç kushtetues”.


Një e pesta e deputetëve e dërgoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke argumentuar se procesi i votimit zgjati vetëm një orë dhe deputetët nuk patën mundësi të paraqesin propozimet e tyre. Nga ana e Kuvendit u pretendua se, në kushtet e urgjencës, rregulli ishte zbatuar sa më mirë të ishte e mundur.

Vendimi i Kushtetueses tregon se procedura e përdorur për miratimin e rregullores nuk ishte në përputhje me Kushtetutën dhe se shkeljet e konstatuara cenojnë funksionimin demokratik të Kuvendit.

"KORCA BOOM"


bottom of page