Zëri dhe imazhi i përdorur pa leje: Anila Bisha padit “Diellën”
- 4 hours ago
- 1 min read
Në padinë e saj ndaj Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe Këshilli i Ministrave, aktorja kërkonte pezullimin e ministres së Shtetit për Inteligjencën Artificiale, “Diella”. Çështja u shqyrtua nga gjyqtari Armand Shkurta, i cili vendosi të mos pranojë kërkesën për masë sigurie.
Bisha kishte kërkuar gjithashtu një dëmshpërblim prej 1 milion eurosh për dëmtim imazhi, duke pretenduar se pamja dhe zëri i saj janë përdorur për krijimin e avatarit qeveritar “Diella” pa miratimin e saj.
Në proces janë përfshirë si palë të paditura Këshilli i Ministrave, kompania “Apel” sh.p.k., AKSHI dhe Edi Rama. Deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, aktorja kërkon ndalimin e përdorimit të të dhënave të saj personale.
Sipas padisë, kontrata që kishte lidhur Bisha parashikonte përdorimin e imazhit vetëm si asistente virtuale për shërbimet e platformës e-Albania. Ajo pretendon se shndërrimi i “Diellës” në ministre është bërë pa pëlqimin e saj dhe në kundërshtim me marrëveshjen.
Dokumentet e paraqitura në gjykatë theksojnë se krijimi i avatarit është realizuar pa asnjë miratim paraprak dhe pa e vënë aktoren në dijeni. Bisha shprehet se u ndje e befasuar kur kryeministri prezantoi publikisht “Diellën” në shtator 2025 dhe konstatoi ngjashmërinë me imazhin e saj.
Në padi gjithashtu theksohet se janë përdorur në mënyrë të paligjshme të dhënat e saj personale, përfshirë imazhin dhe zërin, duke krijuar një “duplikat digjital” të saj pa autorizim.
"KORCA BOOM"
















