top of page

“Kupola e nxehtësisë” përfshin Evropën, paralajmërohen temperatura ekstreme deri në 39°C

  • 11 hours ago
  • 2 min read

Shërbimi meteorologjik Severe Weather Europe ka paralajmëruar se një fenomen i njohur si “kupolë nxehtësie” po zhvillohet mbi pjesën më të madhe të Evropës, duke sjellë temperatura jashtëzakonisht të larta për këtë periudhë të vitit.


Sipas parashikimeve meteorologjike, në disa rajone temperaturat pritet të ngjiten deri në 15 gradë Celsius mbi mesataren sezonale, duke shënuar një nga valët më të hershme dhe më intensive të të nxehtit për vitin 2026.


Rajonet më të prekura nga kjo valë të nxehti pritet të jenë Spanja dhe Portugalia, ku temperaturat mund të arrijnë nga 35 deri në 39 gradë Celsius. Ndërkohë, masa e nxehtë ajrore me origjinë nga Afrika Veriore do të zgjerohet gradualisht drejt veriut dhe lindjes së kontinentit, duke përfshirë edhe Britania e Madhe, Franca dhe disa zona të Evropës Qendrore, ku temperaturat gjatë orëve të pasdites do të luhaten nga 25 deri në 29 gradë Celsius.


Meteorologët theksojnë se fundi i muajit maj mund të sjellë temperatura tipike të mesit të verës, ndërsa në disa vende pritet të regjistrohen rekorde të reja për këtë periudhë të vitit.


Fenomeni i njohur si “kupolë nxehtësie” krijohet kur një masë e madhe ajri të ngrohtë mbetet e bllokuar mbi një zonë të caktuar për një periudhë të gjatë kohe. Kjo ndodh nën ndikimin e një anticikloni të fuqishëm dhe një modeli specifik të qarkullimit atmosferik të quajtur “bllokim omega”.


Presioni i lartë atmosferik shtyn ajrin drejt sipërfaqes së tokës, ku ai ngrohet edhe më shumë. Në të njëjtën kohë, qielli i kthjellët dhe numri i lartë i orëve me diell favorizojnë rritjen e mëtejshme të temperaturave, duke krijuar kushte për vapë intensive dhe thatësira.


Ekspertët paralajmërojnë se vala e të nxehtit mund të rrisë ndjeshëm rrezikun për probleme shëndetësore, veçanërisht tek të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike. Gjithashtu, temperaturat e larta mund të ndikojnë negativisht edhe në bujqësi, rezervat ujore dhe rrezikun për zjarre në disa rajone të Evropës.


Në të njëjtën kohë, meteorologët po monitorojnë me kujdes edhe zhvillimin e fenomenit El Niño, i cili mund të ndikojë më tej në kushtet atmosferike gjatë verës në Ballkan dhe në pjesën më të madhe të kontinentit evropian.

"KORÇA BOOM"


bottom of page