Kush janë tre akademikët korçarë që punuan për Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe
- Korca Boom
- 58 minutes ago
- 2 min read
Fjalori i madh i gjuhës shqipe, nga sot, online për përdoruesit.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë, me vendimin nr. 1, datë 06.01.2026, “Për hapjen e platformës online të Fjalorit të madh të gjuhës shqipe”, vendosi hapjen për publikun të faqes së platformës online të “Fjalorit të madh të gjuhës shqipe”, me domenin fjalori.online, duke ofruar qasje të lirë për të gjithë përdoruesit.
Nga dita e hapjes, për një periudhë nëntëmujore do të mblidhen mendime, sugjerime dhe plotësime për përmirësimin e Fjalorit. Pas kësaj periudhe, Redaksia e Fjalorit dhe Koordinatori Teknik, brenda një afati tremujor, do të pasqyrojnë të gjitha sugjerimet e mbledhura.
Për “Fjalorin e madh të gjuhës shqipe” punoi një ekip i gjerë hartuesish, redaktorësh dhe korrektorësh, nën drejtimin e Akademik Jani Thomai si kryeredaktor dhe dy zëvendëskryeredaktorëve, Akademik Valter Memishaj dhe Prof. Dr. Shezai Rrokaj.
Hapi përfundimtar i këtij projekti madhor do të jetë botimi i veprës në dhjetë vëllime vitin e ardhshëm.

Në këtë sipërmarrje shkencore kombëtare kanë dhënë kontribut edhe tre akademikë nga Korça, të cilët kanë qenë pjesë e ekipit të punës për fjalorin:
Prof. dr. Ali Jashari, Prof. asoc. dr. Manjola Zaçellari dhe Dr. Olger Brame.
Prof. dr. Ali Jashari
Prof. dr. Ali Jashari ka qenë redaktor dhe hartues në “Fjalorit të madh të gjuhës shqipe”. Në ndarjen e punës, ai ka hartuar shkronjën B, si dhe pjesërisht shkronjën ZH, duke kontribuar njëkohësisht edhe në korpusin frazeologjik të fjalorit. Një pjesë e rëndësishme e punës së tij lidhet edhe me shtojcën e shprehjeve të huaja të papërvetësuara, duke pasuruar fjalorin me materiale me vlerë të veçantë shkencore dhe përdorimi.
Prof. asoc. dr. Manjola Zaçellari
Prof. asoc. dr. Manjola Zaçellari ka kontribuar si hartuesе e zërave leksikorë, duke qenë përgjegjëse për shkronjat I, X, XH dhe Y di dhe bashkëhartuese e akronimeve. Paralelisht, ajo ka qenë pjesë e Grupit Tekniko-Shkencor të fjalorit, ku ka marrë pjesë në proceset shkencore dhe teknike të përpunimit të materialit. Gjithashtu, ka dhënë kontribut edhe në fazat e kontrollit gjuhësor dhe përshtatjes së fjalorit për platformën digjitale.
Dr. Olger Brame
Dr. Olger Brame ka qenë hartues i shkronjës D dhe pjesërisht i shkronjës Z, duke kontribuar drejtpërdrejt në përpunimin leksikor të fjalorit. Ai ka qenë gjithashtu pjesë e Grupit të Korrektorëve Gjuhësorë dhe Teknikë, ku ka marrë pjesë në verifikimin shkencor, gjuhësor dhe teknik të materialit, si dhe në përgatitjen e fjalorit për publikimin online.
Nëpërmjet këtij kontributi të specializuar, tre akademikët korçarë janë pjesë e një projekti madhor kombëtar, që tashmë është i hapur për publikun në platformën fjalori.online, duke e bërë “Fjalorin e madh të gjuhës shqipe” një mjet themelor për studiuesit, mësuesit, studentët dhe për të gjithë përdoruesit e gjuhës shqipe.
"KORÇA BOOM"
















