top of page

Kushtetuesja vendos: Belinda Balluku mbetet e pezulluar nga detyra

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 28 minutes ago
  • 2 min read

Gjykata Kushtetuese ka marrë sot vendimin lidhur me kërkesën e kryeministrit Edi Rama për masën e sigurisë së vendosur ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, duke lënë në fuqi pezullimin e saj nga funksionet publike.


Lajmi është konfirmuar për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala, e cila bëri me dije se trupa e përbërë nga tetë anëtarë e Gjykatës Kushtetuese ka votuar në mënyrë të barabartë, 4 vota pro dhe 4 kundër, çka ka sjellë rrëzimin e kërkesës së qeverisë për mungesë kuorumi.


Sipas Lalës, vendimi është shpallur nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji, e cila ka sqaruar se për miratimin e kërkesës nevojiteshin të paktën pesë vota. Në këto kushte, masa e pezullimit nga detyra për Belinda Ballukun mbetet në fuqi.


Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë qenë të mbyllur në Dhomën e Këshillimit që prej orës 11:00, duke u larguar vetëm për pak minuta gjatë drekës. Kjo ishte mbledhja e tretë e Kushtetueses për këtë çështje, pasi dy mbledhjet e mëparshme kishin dështuar për shkak të kërkesave të disa anëtarëve për më shumë kohë shqyrtimi.


Çështja “Balluku” konsiderohet si një nga çështjet me interesin më të lartë publik që Gjykata Kushtetuese po shqyrton aktualisht, për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë në funksionimin e qeverisë dhe rikthimin ose jo në detyrë të zëvendëskryeministres.


Gazetarja Klodiana Lala ka sqaruar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka ndikim edhe në kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut. Sipas ligjit, ndaj një personi nuk mund të vendosen tre masa sigurie njëkohësisht, çka do ta detyronte Prokurorinë e Posaçme të hiqte dorë nga njëra prej tyre.


SPAK ka kërkuar heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Belinda Ballukut, për shkak të dyshimeve për keqpërdorime në tenderë të mëdhenj publikë, ndërsa hetimet për këtë çështje vijojnë.

"KORCA BOOM"


bottom of page