Kërkesa të forta ndaj politikës shqiptare, publikohet manifesti i protestës
- Jun 8
- 1 min read
Në ditën e nëntë të marshimit qytetar kundër projektit të Zvërnecit, organizatorët kanë publikuar një manifest me një sërë kërkesash drejtuar institucioneve të vendit, duke propozuar ndër të tjera krijimin e një qeverie transitore dhe hetime për çështje që lidhen me administrimin e pasurive publike.
Në dokument u bëhet thirrje Forcave të Armatosura dhe institucioneve të sigurisë që të mbrojnë integritetin territorial të Shqipërisë dhe asetet me rëndësi strategjike, përfshirë Sazanin dhe Zvërnecin.
Manifesti kërkon gjithashtu që SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit të hetojnë çdo vendimmarrje, kontratë apo procedurë që lidhet me administrimin, dhënien në përdorim ose privatizimin e pasurive publike dhe zonave strategjike, duke përfshirë edhe përgjegjësit institucionalë nëse evidentohen shkelje ligjore.
Një tjetër kërkesë lidhet me hetimin e ish-kryeministrit Sali Berisha për çdo implikim të mundshëm në çështjen e tokave të Zvërnecit, si dhe hapjen e dosjeve që lidhen me të dhe familjen e tij.
Në manifest propozohet krijimi i një qeverie teknike, apartiake dhe transitore, e përbërë nga ekspertë, përfaqësues të shoqërisë civile, diasporës dhe trevave shqiptare. Sipas autorëve të dokumentit, kjo qeveri duhet të udhëhiqet nga parimet e përgjegjësisë kombëtare dhe integritetit publik.
Ndër prioritetet e paraqitura për një qeveri të tillë përfshihen vetingu politik i zyrtarëve, mbështetja për SPAK dhe BKH në hetimin e aferave të mëdha, zgjidhja e konflikteve pronësore dhe krijimi i një Ministrie të Diasporës.
Manifesti është bërë publik në kuadër të protestave kundër projektit të Zvërnecit, të cilat vijojnë prej disa ditësh.
"KORCA BOOM"
















