Lajm i trishtë, futbollisti shqiptar humb jetën në një aksident
Një lajm i trishtë vjen nga futbolli, ku futbollisti me origjinë shqiptare, Enis Maqedonci, është ndarë nga jeta në moshën vetëm 24-vjeçare.
Lajmi është bërë i ditur nga ish-klubi i tij, SC Baden-Baden, përmes një mesazhi prekës të publikuar në rrjetet sociale, ku shpreh dhimbjen për humbjen e parakohshme të ish-futbollistit.
Maqedonci kishte qenë më parë pjesë e skuadrës gjermane, ndërsa së fundmi aktivizohej te TuS Hügelsheim.
Në mesazhin e ngushëllimit, klubi e kujton 24-vjeçarin si një djalë me karakter të gëzuar, buzëqeshje të ngrohtë dhe shpirt të mirë.
“Do ta kujtojmë gjithmonë me dashuri për karakterin e tij të gëzuar, buzëqeshjen e ngrohtë dhe shpirtin e mirë. Ti lë pas një boshllëk të madh dhe do të na mungosh shumë”, thuhet në reagimin e SC Baden-Baden.
Drejtuesit, trajnerët dhe futbollistët e klubit kanë shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe skuadrën ku aktivizohej së fundmi.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, Enis Maqedonci ka humbur jetën një ditë më parë në një aksident rrugor.
Ndarja e tij nga jeta në një moshë kaq të re ka lënë pas dhimbje të madhe te njerëzit që e njohën dhe te komuniteti futbollistik.
















