LAJMI FUNDIT/ Plas te Pogradeci, pezullohet Zguro pas sherrit me trajnerin Çela. Lojtari: Unë të solla këtu!
- 8 hours ago
- 1 min read
Pogradeci në kaos pas humbjes së mundësisë të ngjitjes së drejtpërdrejtë në Kategorinë Superiore. Disfata me Laçin është shoqëruar me probleme edhe jashtë fushës së lojës në radhët e liqenorëve, që ka sjellë edhe pezullimin e kapitenit Vangjel Zguro.
“Panorama Sport” mëson se gjithçka ndodhur pas një analize që është zhvilluar gjatë ditës së sotme në klubin pogradecar. Gjatë mbledhjes me tone të ndezura nuk janë kursyer kritikat dhe ka pasur një përplasje të mirëfilltë mes kapitenit Zguro dhe trajnerit Çela.
Në një moment futbollisti i është drejtuar trajnerit edhe me fjalët “unë të solla këtu”, duke acaruar edhe më shumë situatën. Pas kësaj mbledhje aspak të qetë, klubi i ka dalë në krah trajnerit dhe është vendosur pezullimi pa afat i Zguros, i cili u bë protagonist negativ në ndeshjen ndaj Laçit me penalltinë e humbur e me një paraqitje nën nivelin e kërkuar.
Tani pritet të mësohet se si do të rrjedhin ngjarjet te liqenorët të cilët po kalojnë një krizë të mirëfilltë në një moment kur duhet të nisin përgatitjet për pjesëmarrjen në play-off për ngjitjen në Superiore.
















