top of page

Lamtumirë ish-mësuesit Gjergji Gusho!

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 11 hours ago
  • 2 min read

Me hidhërim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të mësuesit, studiuesit dhe intelektualit të nderuar Gjergji Tasi Gusho, një figurë e respektuar e arsimit dhe kulturës në qytetin e Pogradecit dhe më gjerë.


Gjergji Tasi Gusho lindi në qytetin e Korçës më 18 mars 1939, në një familje arsimtarësh. Prindërit e tij, Tasi dhe Kostaqe Gusho, kanë punuar si mësues, duke i përcjellë që në fëmijëri dashurinë për dijen dhe arsimin.


Ai përfundoi Shkollën e Mesme Pedagogjike në Korçë dhe më pas Fakultetin Histori-Filologji, Dega Gjuhë Ruse, në Universitetin e Tiranës, të cilin e mbaroi në vitin 1959. Pjesën më të madhe të jetës ia kushtoi mësimdhënies në shkollën e mesme të qytetit të Pogradecit, ku punoi deri në daljen në pension. Pas kësaj periudhe, vijoi të kontribuojë edhe në shkolla jopublike të qytetit, si mësues i gjuhës italiane. Ai ishte gjithashtu njohës i shkëlqyer i gjuhës së rrallë Esperanto.


Gjatë viteve 1969–1972, Gjergji Gusho shërbeu si inspektor kulture pranë Seksionit të Arsimit dhe Kulturës në Pogradec. Ndërsa nga viti 1975 deri në 1985 punoi në Kabinetin Pedagogjik të rrethit, fillimisht si metodist dhe më pas si drejtor. Në këtë periudhë ai përshkoi të gjitha fshatrat e rrethit të Pogradecit, duke mbledhur me përkushtim të dhëna historike, toponomastike, legjenda dhe këngë folklorike, të cilat u bënë bazë për hartimin e dy librave të tij.


Kontributi i tij intelektual pasqyrohet edhe në veprimtarinë botuese:

1988 – Si të mësojmë vetë gjuhën e huaj

2000 – Mbi përhapjen e Krishterimit dhe kishat në rrethin e Pogradecit

2001 – Përkthimi i librit Rrethi i bashkëpunëtorëve të ngushtë të Stalinit

2002 – Botë misterioze, përmbledhje citatesh nga personalitete të shquara të letërsisë mbi mjeshtërinë e artit të të shkruarit

2005 – Këngë folklorike nga rrethi i Pogradecit


Për kontributin e tij shumëvjeçar në arsimimin dhe edukimin e brezave të rinj, është dekoruar nga Kuvendi Popullor me Urdhra Pune dhe me dekoratën “Naim Frashëri”. Në mars 2005, Bashkia e Pogradecit e nderoi me titullin “Krenaria e Qytetit”, ndërsa më 7 mars 2010 iu akordua titulli “Mirënjohja e Qytetit”, për përkushtimin, profesionalizmin dhe dashurinë ndaj mësimdhënies.


Ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe për familjen, miqtë, nxënësit dhe gjithë komunitetin pogradecar. Kujtimi dhe vepra e Gjergji Tasi Gushos do të mbeten të gjalla në brezat që ai edukoi dhe në trashëgiminë kulturore që la pas.


I shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve. U prehtë në paqe!

“KORÇA BOOM”

ree

bottom of page