Lëvizje e papritur: Durim Bami largohet nga “313”, transferohet në tjetër burg
- Apr 18
- 1 min read
Durim Bami, i njohur si një nga personat më të fuqishëm në zonën e Niklës, është transferuar nga paraburgimi “313” në Tiranë drejt burgut të Fushë-Krujës.
Vendimi për transferimin vjen pas pretendimeve të vetë Bamit se jeta e tij ishte në rrezik në ambientet e paraburgimit, ku sipas tij ndodheshin persona që kishin planifikuar eliminimin e tij, pas ekstradimit nga Dubai.
Bami përballet me një sërë akuzash të rënda, mes tyre “sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “kultivim i bimëve narkotike” si dhe “kryerje e veprave penale në kuadër të organizatës kriminale”.
Sipas hetimeve, në vitin 2021 ai dyshohet se, në bashkëpunim me persona të tjerë, kishte planifikuar vrasjen e Tori Xhecukës dhe Erigers Mihasit, ky i fundit i vrarë më vonë dhe i lidhur me Ervis Martinajn.
Gjithashtu, SPAK e akuzon Bamin edhe për kultivim të lëndëve narkotike në zonat e Niklës dhe Bubqit, në bashkëpunim me një ish-oficer të forcave RENEA.
Hetimet ndaj tij vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së dyshuar kriminale.
“KORÇA BOOM”
















