Me maska dhe kapuçë, grabiten dy biznesmenë/ Autorët marrin kasafortat dhe zhduken!
- 2 hours ago
- 2 min read
Dy grabitje janë shënuar gjatë 10 ditëve të fundit në qarkun e Beratit, ku dy biznesmenë janë bërë pre e grabitjeve gjatë orëve të natës. Në të dyja rastet, autorët kanë përdorur të njëjtën skemë, duke hyrë me forcë në ambiente dhe duke marrë kasafortat.
Një prej vjedhjeve ka ndodhur në biznesin “Veza e Mëngjesit”, përgjatë aksit nacional Berat-Dimal, me pronar shtetasin Leonard Fani. Hajdutët kanë shqyer derën kryesore të objektit dhe më pas kanë marrë kasafortën.
Rasti tjetër është regjistruar në banesën e shtetasit Lumnir Osoja, pronar i kompanisë “Center Albania”. Edhe këtu autorët kanë hyrë duke dëmtuar derën kryesore dhe kanë marrë kasafortën nga ambientet e banesës.
Burime nga Drejtoria Vendore e Policisë Berat bëjnë me dije se, sipas pretendimeve të depozituara nga vetë biznesmenët gjatë denoncimeve në polici, në secilën prej kasafortave ndodheshin rreth 100 milionë lekë.
Sipas të njëjtave burime, dyshohet se pas vjedhjeve qëndron një grup prej disa personash. Autorët kanë vepruar të maskuar, duke përdorur maska dhe kapuça për të fshehur identitetin.
Në kuadër të hetimeve, policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë së biznesit dhe të banesës së biznesmenit. Megjithatë, deri më tani nuk është bërë i mundur identifikimi dhe arrestimi i autorëve.
Fakti që të dyja vjedhjet janë kryer në mënyrë të ngjashme dhe brenda një periudhe të shkurtër kohore ka ngritur dyshimet se pas tyre mund të jetë i njëjti grup.
Pavarësisht vlerës së konsiderueshme të shumave të pretenduara të vjedhura dhe mënyrës së ngjashme të veprimit, deri më tani Policia e Beratit nuk ka dhënë një njoftim zyrtar lidhur me këto dy ngjarje.
Hetimet vijojnë për identifikimin e autorëve, ndërsa grupi hetimor po analizon pamjet e kamerave të sigurisë dhe provat e mbledhura në të dyja vendngjarjet.
“KORÇA BOOM”
















