Me vetëm një fitore në tre javë, Devolli në krizë: Lukra "përplas" tavolinën dhe kërkon përgjegjësi
- Korca Boom
- 19 hours ago
- 1 min read
Një analizë me tone të ashpra është zhvilluar ditën e sotme në ambientet e skuadrës së Devollit. Nuk është diskutuar vetëm humbja e fundit ndaj Partizanit, por edhe ecuria e dobët gjatë tri javëve të para të kampionatit, ku ekipi ka arritur vetëm një fitore.
Sipas burimeve nga brenda klubit, ishte vetë ekzekutivi Ermir Lukra ai që mori fjalën, duke ngritur tonet dhe duke i bërë të qartë futbollistëve rëndësinë e situatës. Ai theksoi se performanca e deritanishme nuk është aspak e pranueshme, sidomos në kushtet kur skuadra ka pasur çdo mundësi për të qenë konkurruese.
“Është një situatë e papranueshme nga ana jonë. Deri tani, ekipi ka pasur gjithçka të nevojshme për të qenë në një nivel të lartë. Kemi sjellë lojtarë me përvojë dhe të rinj me talent, por kjo nuk e justifikon aspak ecurinë aktuale.
Është e vërtetë që diskutimi im ka qenë i ashpër dhe kërkues, por kam gjetur mirëkuptimin e të gjithëve. Kam plotësisht të drejtë: çdo kush duhet të mbajë përgjegjësi për atë që jep në fushë. Dhe kjo do të shihet që në ndeshjen e radhës, ku objektivi është vetëm fitorja,” mësohet të ketë thënë Lukra.
Në këtë analizë kanë reaguar edhe vetë futbollistët, të cilët kanë pranuar se nuk ka asnjë justifikim për paraqitjet e dobëta dhe kanë kërkuar më shumë nga vetja për vazhdimësinë.
Pas përfundimit të mbledhjes, skuadra ka zbritur në stërvitje dhe ka zhvilluar normalisht seancën e radhës, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e ardhshme, që tashmë shihet si një pikë kthese për rikthimin në rrugën e rezultateve pozitive.
"KORÇA BOOM"
