top of page

Milionat që ndryshuan futbollin/ Sa kushton organizimi i një Kupe Bote?

  • 20 hours ago
  • 2 min read

Kur flitet për Kupën e Botës në futboll, vëmendja zakonisht përqendrohet te golat, yjet e fushës dhe trofeu i madh.


Megjithatë, prapaskenat financiare të këtij eventi janë po aq magjepsëse dhe shpeshherë tronditëse. Sipas të dhënave të grumbulluara nga agjenci dhe institute prestigjioze si Statista, Scribed, beIN Sports dhe RankingRoyals, kostot e organizimit të këtij kompeticioni kanë njohur një rritje të frikshme përgjatë tri dekadave të fundit.


Në krye të listës qëndron pa asnjë rival Katari, ndërsa në kahun tjetër, SHBA-ja mban rekordin historik për menaxhimin më ekonomik, një strategji që synon ta përsërisë edhe në Botërorin e këtij viti.


Renditja: Kostot e organizimit të Kupave të Botës në dekadat e fundit


Më poshtë paraqitet lista e investimeve të bëra nga vendet pritëse, e renditur nga shpenzimet më të larta deri tek ato më minimalet:


Renditja

Vendi Organizator (Viti)

Kostoja e Organizimit


Katari (2022)

210 miliardë dollarë


SHBA, Meksikë & Kanada (2026)

14 miliardë dollarë (e parashikuar)


Brazili (2014)

12 miliardë dollarë


Rusia (2018)

11.6 miliardë dollarë


Japoni & Kore e Jugut (2002)

7.0 miliardë dollarë


Italia (1990)

4.4 miliardë dollarë


Gjermania (2006)

4.3 miliardë dollarë


Afrika e Jugut (2010)

3.8 miliardë dollarë


Franca (1998)

2.3 miliardë dollarë


SHBA (1994)

0.5 miliardë dollarë

Katari 2022: Botërori që preku “stratosferën” financiare


Edicioni i vitit 2022 në Katar mban zyrtarisht titullin e Kupës së Botës më të shtrenjtë në historinë e njerëzimit. Shifra prej 210 miliardë dollarësh la pas çdo lloj imagjinate.


Ky buxhet gjigant nuk shkoi vetëm për topin e futbollit apo fushat e blerta. Pasi fitoi të drejtën e organizimit, shtetit të Gjirit iu desh të ndërtonte pothuajse gjithçka nga e para. Paratë u investuan në:


Ndërtimin e stadiumeve ultra-moderne me sisteme klimatizimi.

Një rrjet krejtësisht të ri metroje dhe autostradash.

Zgjerimin e aeroporteve, ndërtimin e hoteleve luksoze dhe madje krijimin e qyteteve të reja të tëra si Lusail.


SHBA 1994 dhe 2026: Arti i kursimit dhe menaxhimit inteligjent


Në skajin tjetër të tabelës pozicionohen Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Botërori i vitit 1994 mbetet një nga më të lirët dhe më fitimprurësit në histori, me një kosto prej vetëm 500 milionë dollarësh. Arsyeja? SHBA-ja nuk pati nevojë të ndërtonte impiante të reja, pasi përdori stadiumet gjigante tashmë ekzistuese të NFL-së (futbollit amerikan) dhe universitetet.


Të njëjtën strategji po ndjekin edhe për edicionin e vitit 2026. Ndonëse ky është Botërori më i madh në histori, i shtrirë në tri shtete (SHBA, Meksikë, Kanada) dhe me një numër rekord skuadrash, kostoja e parashikuar është vetëm 14 miliardë dollarë. Për shkak të infrastrukturës së fuqishme që këto vende posedojnë, shpenzimet mendohet të jenë sa një e pesëmbëdhjeta e asaj që shpenzoi Katari, duke dëshmuar se madhështia e një eventi nuk varet gjithmonë nga shpenzimet marramendëse.

“KORÇA BOOM”


bottom of page