MISRI “HELMUES” NGA SERBIA/ AKU dështoi të mbrojë qytetarët nga ushqimi i kontaminuar!
- Korca Boom
- 15 hours ago
- 2 min read
AKU po e humbet betejën për të garantuar sigurinë ushqimore në vend. Në muajin dhjetor, Shqipëria importoi nga Serbia misër, ushqim për kafshë, i cili rezultoi i kontaminuar me Aflatoksinë B1 mbi normat e lejuara , një substancë kjo që OBSH e klasifikon si kancerogjene të Grupit 1.
Kur kafshët konsumojnë misrin me Aflatoksin, kjo toksinë kalon në qumësht, duke e kthyer qumështin dhë nenproduktet e tij të pasigurta dhe të rrezikshme për konsum.
Në këtë rast situata është kritike pasi Aflatoksina mbetet aty edhe pas zierjes, pasterizimit apo përpunimit. E thënë më thjesht nxehtësia nuk e shkatërron këtë toksinë.
Pas kërkesës për informacion që televizioni "Ora News" i ka drejtuar AKU ky institucion na bën me dije se 78.060 kilogramë misër i kontaminuar ka hyrë nga Serbia në territorin shqiptar.
Dështimi i AKU-së qëndron në faktin se 24.760 kilogramë misër është shpërndarë dhe shitur në ferma blegtorale, ndërsa sasia tjetër është bllokuar.
AKU nuk mundi ta ndalë në kohë produktin e kontaminuar. Disa nga pasojat e kësaj toksine në trupin e njeriut janë:
- Rritje të rrezikut për kancer të mëlçisë
- Dobësim të sistemit imunitar
Efekte më të rënda te fëmijët: Pengesë në rritje dhe zhvillim
Duke u nisur nga fakti që qytetarët kanë konsumuar produkte të pasigurta, kemi disa pyetje publike për drejtuesin e AKU-së, Manush Kullolli:
Sa qumësht i kontaminuar është prodhuar nga këto ferma?
Sa është sasia që ka përfunduar në treg?
Dhe mbi të gjitha: kush mban përgjegjësi kur ushqimi i pasigurt përfundon në tryezat e qytetarëve?
Misri me prezencë Aflatoksine B1është shpërndarë në Fier, Lezhë, Shkodër, Dibër, Elbasan dhe Kavajë.
Deri sa AKU të marrë përgjegjësi , çdo gotë qumësht që përfundon në tryezën tonë mund të jetë një rrezik i heshtur./ LAJMI FUNDIT
“KORÇA BOOM”



















