Momente paniku në fushë/ Mbrojtësi rrëzohet papritur dhe mbetet i palëvizur, ndërpritet ndeshja
- 1 hour ago
- 1 min read
Momente paniku u regjistruan në sfidën mes Juve Stabia dhe Pisa-s, teksa mbrojtësi bullgar i skuadrës mike, Rosen Bozhinov, u rrëzua papritur në fushë pak pas minutës së 40-të.
Futbollisti mbeti i palëvizur për disa momente, duke shkaktuar alarm të menjëhershëm te shokët e skuadrës dhe lojtarët e të dyja ekipeve. Stafi mjekësor ndërhyri me shpejtësi në fushë për t’i dhënë ndihmën e parë, ndërsa arbitri vendosi të ndërpresë përkohësisht ndeshjen.
Pas konsultimeve mes kapitenëve dhe pjesëtarëve të dy pankinave, u vendos që takimi të vijonte, ndërsa Bozhinov u nxor nga fusha me barelë dhe u transportua me ambulancë drejt spitalit San Leonardo në Castellammare di Stabia.
Fillimisht, situata shkaktoi shqetësim të madh, pasi u dyshua për një problem serioz shëndetësor. Megjithatë, më vonë u bë e ditur se mbrojtësi kishte pësuar një gjendje të rënduar dehidratimi, e shoqëruar me konvulsione.
Sipas burimeve të Lega B, pavarësisht skenave alarmante në fushë, Bozhinov ka qenë gjatë gjithë kohës i vetëdijshëm.
Tashmë, mbrojtësi po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor, ndërsa priten të dhëna të mëtejshme mbi gjendjen e tij shëndetësore.
“KORÇA BOOM”
















