top of page

Arrestohet 95-vjeçari Bernie Ecclestone? Ish-shefi i Formula 1 ndalohet në aeroport

  • 42 minutes ago
  • 1 min read

Ish-shefi i Formula 1, Bernie Ecclestone, 95 vjeç, raportohet se është arrestuar në Portugali, pasi dyshohet se është kapur me një armë zjarri të padeklaruar.


Sipas raportimeve të publikuara të hënën, Ecclestone u ndalua në aeroportin e Tires, pranë Lisbonës, pak pasi kishte mbërritur me avionin e tij privat.


Autoritetet portugeze dyshohet se kanë gjetur një pushkë gjuetie në posedim të tij, ndërsa ndalimi raportohet të jetë kryer gjatë një operacioni policor.


Megjithatë, deri tani, lajmi nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Policia e Sigurisë Publike e Portugalisë (PSP), ndaj rrethanat e sakta të ndalimit dhe akuzat ndaj 95-vjeçarit mbeten ende të paqarta.


Ky nuk do të ishte rasti i parë që Ecclestone përballet me autoritetet për shkak të posedimit të një arme.


Në maj të vitit 2022, miliarderi britanik u ndalua në Brazil, pasi në bagazhin e tij u gjet një pistoletë LW Seecamp .32 e paregjistruar. Ecclestone po përgatitej të udhëtonte me avion privat drejt Zvicrës kur arma u zbulua.


Në atë kohë, ai pranoi se pistoleta ishte e tij, por deklaroi se nuk e dinte që ndodhej në bagazhin e tij. Pas pagesës së garancisë, ai u lirua dhe vazhdoi udhëtimin.


Ecclestone kishte mohuar se ishte arrestuar zyrtarisht dhe e kishte cilësuar incidentin si të parëndësishëm.


Tashmë, raportimet e reja nga Portugalia kanë rikthyer në vëmendje historinë e tij me armët.


Nëse ndalimi konfirmohet nga autoritetet portugeze, pritet të bëhen të ditura edhe rrethanat e plota të ngjarjes dhe statusi ligjor i ish-drejtuesit të Formula 1.

“KORÇA BOOM”


bottom of page