top of page

Do të martohej pas dy javësh, por humbi jetën në mënyrë misterioze/ Arrestohet bashkëlojtari

  • 60 minutes ago
  • 2 min read

Një udhëtim që duhej të ishte thjesht një moment argëtimi me skuadrën përfundoi në një tragjedi të rëndë në Gjermani.

Një futbollist 30-vjeçar, pjesë e klubit amator TuS Rockenberg, humbi jetën pasi dyshohet se u helmua gjatë një udhëtimi të ekipit në Dresden. Për ngjarjen, autoritetet kanë arrestuar një bashkëlojtar 35-vjeçar, të identifikuar si Marius, i cili dyshohet se i ka dhënë fshehurazi viktimës një substancë helmuese.


Ngjarja mori një kthesë dramatike më 1 shtator, kur 35-vjeçari u vu në pranga pas përfundimit të hetimeve fillestare.

Sipas autoriteteve, gjendja e Filipit nisi të përkeqësohej gjatë vetë udhëtimit. Pas kthimit në banesë, simptomat u bënë edhe më të rënda dhe familjarët u detyruan të kërkonin ndihmë mjekësore. 30-vjeçari u transportua me urgjencë në spital, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ndërroi jetë të nesërmen.


Në fillim, familjarët nuk kishin dyshime për një krim. Ata menduan se Filipi mund të ishte helmuar nga ushqimi, pasi gjatë udhëtimit kishte konsumuar peshk. Por rezultatet e autopsisë ndryshuan rrjedhën e hetimit.


Ekspertiza mjeko-ligjore konfirmoi se vdekja ishte shkaktuar nga helmimi dhe se substanca toksike kishte çuar në dëmtime të rënda dhe mosfunksionim të organeve.

Pas këtyre të dhënave, dyshimet e hetuesve u përqendruan te një prej bashkëlojtarëve të viktimës.


Prokurori Thomas Hauburger deklaroi për mediat lokale se hetuesit po e trajtojnë ngjarjen si një veprim të mundshëm hakmarrjeje. Megjithatë, motivi i saktë i ngjarjes nuk është konfirmuar ende zyrtarisht.


Në Rockenberg, ndërkohë, kanë qarkulluar pretendime se mes dy futbollistëve kishte pasur një konflikt që lidhej me një grua. Kjo është një nga pistat që po shqyrtohen, por deri tani nuk është konfirmuar nga autoritetet.


Një tjetër detaj që e bën historinë edhe më tragjike është fakti se Filipi po përgatitej të martohej vetëm dy javë pas ngjarjes. Jeta e tij u ndërpre papritur, ndërsa një udhëtim me shokët e skuadrës u kthye në momentin e fundit të jetës së tij.


I arrestuari ndodhet në paraburgim dhe, deri tani, ka zgjedhur të mos japë shpjegime për akuzat ndaj tij.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar se si iu dha viktimës substanca helmuese, çfarë lënde ishte përdorur dhe, mbi të gjitha, cili ka qenë motivi që qëndron pas kësaj ngjarjeje të rëndë.

“KORÇA BOOM”


bottom of page