Mot i rrezikshëm, lumenjtë kërcënojnë të dalin nga shtrati, IGJEUM paralajmëron 11 qarqe
Shqipëria përballet me një situatë të vështirë meteorologjike, pasi reshje të dendura shiu me intensitet të lartë pritet të përfshijnë pjesën më të madhe të territorit. Kushtet e motit kanë ngritur alarmin për përmbytje të mundshme, vërshime të lumenjve dhe rrëshqitje të dherave në disa zona të vendit.
Sipas meteorologes Anira Gjoni nga Instituti i Gjeoshkencave (IGJEUM), situata kërkon vëmendje të veçantë në 11 qarqe të Shqipërisë, ku parashikohen probleme si pasojë e reshjeve intensive.
Rreziku më i lartë për vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë paraqitet në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër. Ndërkohë, në Shkodër, Kukës dhe Dibër ekziston edhe rreziku i rrëshqitjes së dherave.
Problematike pritet të jetë situata edhe në qarqet Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër, ku reshjet mund të shkaktojnë përmbytje të lokalizuara, veçanërisht në zonat me probleme të mëparshme të kullimit dhe drenazhimit.
Një tjetër shqetësim lidhet me rritjen e prurjeve në lumenjtë kryesorë dhe të mesëm. Sipas parashikimeve, reshjet intensive mund të sjellin shtim të ndjeshëm të nivelit të ujit në basenet e lumenjve Drin-Bunë, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë.
Autoritetet dhe strukturat përgjegjëse duhet të ndjekin me kujdes zhvillimin e situatës, ndërsa banorët e zonave me rrezik të shtuar këshillohen të tregojnë kujdes të veçantë, sidomos pranë shtretërve të lumenjve dhe përrenjve malorë.
Situata meteorologjike kërkon gatishmëri, pasi reshjet me intensitet të lartë mund të krijojnë probleme të menjëhershme në disa zona të vendit.
“KORÇA BOOM”
















