“Muaji shkurt i ngrohtë por me rebeshe”, meteorologia Lajda Porja tregon se kur do përmirësohet moti
- Korca Boom
- 13 hours ago
- 1 min read
Meteorologia Ladja Porja ka sqaruar situatën e motit në vend, duke dhënë parashikimin për reshjet e shiut që kanë nisur që në fillim të muajit shkurt.
Sipas saj, kushtet e paqëndrueshme do të vijojnë pothuajse gjatë gjithë muajit, ndërsa një përmirësim i dukshëm pritet vetëm në ditët e fundit të shkurtit.
E ftuar në Euronews Albania, Porja thekson se muaji shkurt do të karakterizohet nga temperatura relativisht të larta për këtë periudhë, por të shoqëruara me reshje të shpeshta dhe rebeshe shiu, në disa zona edhe me intensitet të lartë.
“Do mbetemi në kushte të paqëndrueshme atmosferike. Sot ka patur përmirësim të përkohshëm të motit. Reshjet e sotme nuk do jenë në sasi të mëdha, nesër pasdite pra të mërkurën, do ketë reshje më të dendura.
Edhe dita e enjte dhe e premte gjatë paradites do jetë me reshje dhe vranësira, ndërsa pasditeve do ketë rebeshe shiu. Fundjava parashikohet të jetë e paqëndrueshme gjithashtu.
Të gjitha ditët do jenë me reshje shiu, ku më të rrezikuarat do jenë dita e mërkurë dhe e dielë.
Kryesisht Shkodra, Lezha, dhe Durrësi do jenë ato qytete me intensitete të larta të shiut, pastaj dhe i gjithë jugu Vlora, Saranda, Gjirokastra, Permeti, Tepelena mbeten të ekspozuara nga rebeshet.
Nesër do të kemi stuhi të forta ere kryesisht në bregdet, duke sjellë problem në trafikun detar.
Sa i përket temperaturave, relativisht janë të larta, minimalet janë 4 gradë dhe maksimalet janë 18-19 gradë Celsius.
Deri në datën 20 shkurt parashikohet që reshjet ti kemi prezente. Përmirësim presim në javën e fundit të shkurtit, që do jenë pa reshje”, tha Porja.
“KORÇA BOOM”
















